Rezultojnë negative të 13 rastet e dyshuara

Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, Ministria e Shëndetësisë ka akorduar për spitalet një fond prej 1 milion Dollarë. Këto para do të përdoren për shtimin e mjeteve mbrojtëse.

Megjithatë ky institucion thekson se të gjitha strukturat spitalore, kanë në dispozicion sasinë e nevojshme të këtyre mjeteve për të përballuar situatën që mund të krijohet.

Në mbrëmje, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se janë analizuar gjithsej 13 raste të dyshuara, të cilat kanë rezultuar negative. Të gjithë këta persona kishin udhëtuar në vendet e prekura nga koronavirusi.

Të frikësuar nga infektimi i mundshëm, shumë njerëz në kryeqytet kanë zgjedhur të mbajnë maskë edhe në rrugë. Për specialistët, kjo nuk është e nevojshme.

Në të gjitha pikat kufitare tokësore ajrore dhe detare vijon kontrolli i pasagjerëve. Në Morinë mjekët kanë regjistruar çdo udhëtar që vjen nga zona të infektuara, proces që shërben për gjurmimin e rastit.

Në portin e Durrësit mbi 500 persona kanë mbërritur nga Italia me dy tragete. Të gjithë i janë nënshtruar kontrollit.

Udhëtarët thonë se të njëjtin filtër e kanë kaluar edhe në shtetin fqinj, Italinë, përpara se të kalonin kufirin, ndaj nuk janë të frikësuar.

Tv Klan