Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi gjatë ditës së sotme se qeveria duhet të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyre për situatën e krijuar nga koronavirusi.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Basha shpjegoi se çfarë ndryshon me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kreu i demokratëve tha se shpallja e fatkeqësisë natyrore ndihmon vetë shtetin në radhë të parë, bizneset por dhe qytetarët.

“Shpallja e fatkeqësisë natyrore është instrumenti me anë të të cilit qeveria mund të disponoje mjetet financiare, mund të autorizojë veprimet që në raste të tjera janë të pa autorizueshme. Kushtetuta e Shqipërisë dhe ligjet e Shqipërisë janë shumë të qarta. Ajo që kam kërkuar sot është shpallja e fatkeqësisë së emergjencës natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Kjo është një masë që ndihmon shtetin, ndihmon qeverinë por ndihmon dhe individët. Në kushtet e një emergjencë të shpallur nga shteti, edhe bizneset që janë në marrëdhënie kontraktuale me biznese të tjera jashtë vendit, mund të kenë kontratat e tyre klauzola që i ndihmojnë dhe i shpëtojnë nga detyrimet.

Gjithçka është detyrim ligjor që shteti të marrë ato masa që ka deklaruar dhe që ne i kemi kërkuar prej shumë kohësh për të kufizuar, izoluar dhe krijuar kushtet e izolimit social. Kjo gdhend edhe detyrime nga ana e shtetit. Detyrimet nuk janë vetëm për qytetarët. Gdhend edhe të drejtat për qytetarë, të minimumit jetik”, u shpreh Lulzim Basha. /tvklan.al