Në një situatë kur viroza të ndryshme kanë prekur vendin, është e rëndësishme të bëhet diferenca e një gripi të zakonshëm me simptomat që ka koronavirusi. Për të folur për këtë çështje, e ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan ishte shefja e Infektivit në Qendrën Universitare ‘Nënë Tereza’, Najada Çomo.

Najada Çomo: Për fat të keq nuk ka dallim esencial, do të thotë ne jemi në sezon gripi, ne jemi në situatë virozash stinore, që kanë shenja të përbashkëta, temperatura, kolla, rrufa, teshtima. Edhe infeksioni nga koronavirusi ka po të njëjtat shenja. Pra nga ana e shenjave klinike e ke krejt të vështirë për ta dalluar nëse personi ka shenja të zakonshme. Nëse personi ka infeksion të rëndë të mushkërive, pra pamjaftueshmëri të funksionit të mushkërive, situata është më e agravuar dhe natyrisht ai person është padyshim i shtruar në kushte spitali.

Më tej, ajo shton se është e rëndësishme që çdo qytetar që ka ardhur nga ndonjë prej vendeve të prekura, të marrë ne telefon 127, që është numri i Qendrës Kombëtare të Urgjencës.

Najada Çomo: Duhet të kesh patjetër kriterin nga ana e udhëtimit, pra të vish nga një zonë, deri pak përpara ishte dhe vazhdon të jetë Kina, por natyrisht vëmendja e njerëzve me të drejtë është spostuar tek Italia. Nëse një person vjen nga një zonë që ka patur infeksion nga koronavirusi, qytetari nuk vjen për t’u vizituar, por merr  127, që është numri i Qendrës Kombëtare të Urgjencës dhe këtë duhet ta them me shumë rëndësi, sepse ardhja nëpërmjet urgjencës bën dhe palën pritëse ta presë personin edhe me kushte më të mira, edhe në aspektin e veshjes nga ana profesionale. /tvklan.al