Koronavirusi dobëson financat e Apple

Koronavirusi dobëson financat e Apple

10:15 18/02/2020

Kompania amerikane “Apple” ka njoftuar se për shkak të gjendjes së emergjencës në Kinë nga koronavirusi, të ardhurat e saj do të jenë të ulëta.

Gjigandi teknologjik thotë se nuk mund të bëjë një parashikim të të ardhurave momentale, pasi prodhimi dhe shitjet janë prekur nga situata e shkaktuar nga koronavirusi. Ndërsa furnizimi me iPhone në të gjithë botën do të kufizohet përkohësisht.

Apple është kompania e parë amerikane që deklaron se gjendja e krijuar nga virusi i rrezikshëm kinez do të godasë financat e saj. Para më shumë se një jave, kjo kompani njoftoi se do të mbyllë përkohësisht në Kinë të gjitha dyqanet e saj.

Apple kishte parashikuar të ardhura rekord deri në 67 miliardë Dollarë për 3-mujorin e parë të këtij viti. Por drejtuesit e kësaj kompanie thonë se pas kësaj situate, nuk kanë shpresë për të përmbushur këtë objektiv. Shitja e ulët e produkteve si rezultat i dyqaneve të mbyllura ose që punojnë me orar të reduktuar, ka ndikuar në të ardhurat e kompanisë.

“Të gjitha dyqanet tona në Kinë dhe shumë nga bizneset partnere janë mbyllur. Ndërsa ato dyqane që kanë qenë të hapura, kanë funksionuar me orare të reduktuara dhe me klientelë shumë të ulët. Do të fillojmë gradualisht të hapim dyqanet tona të shitjes me pakicë”, tha një zyrtar i kompanisë Apple. /tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi