Drejtori i Spitalit Amerikan në vendin tonë, Klodjan Allajbeu, thotë se gjysma e popullsisë e kalojnë koronavirusin COVID-19 pa pasur asnjë simptomë dhe pa pasur dijeni.

I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, ai foli për një pajisje të re që bën të mundur mbi 4 mijë testime në ditë për rastet e dyshuara me koronavirus.

Kjo pajisje ndodhet edhe në Shqipëri, por sipas Allajbeut, pritet furnizimi me reagentë.

Blendi Fevziu: Sot mediat gjermane kanë dhënë lajmin që është një test që të teston edhe në qoftë se e ke kaluar më parë. Ka disa teza që ky koronavirus ka qenë prezent në Shqipëri që në mes të muajit Shkurt ose fillim të muajit Shkurt. Ka pasur shumë simptoma të ngjashme.

Klodjan Allajbeu: Një pjesë e madhe e kanë kaluar virusin pa e ditur fare. Dua të them që këtë virus 50% e rasteve kalojnë pa e ditur fare. Ka studime të reja, gjërat po bëhen më të qarta. Vdekshmëria nuk është ashtu siç pretendohej në nivel 3 ose 5% që ne shohim, por realisht është në 0.2-0.3%. Kjo vjen nga mangësia e testimeve. Bota u gjet e papërgatitur, nuk pati teste. Sot testimet që po bëhen po zhvillohen me pajisje që kanë qenë të prodhuara dhe kanë bërë teste të tjera. Dhe po i shtohet dhe testi i COVID-19. Një pajisje që Roshi sapo lancoi, është një pajisje shumë efektive sepse për 24 orë arrin të bëjë 4128 testime.  

Blendi Fevziu: Me rezultat të besueshëm?

Klodjan Allajbeu: Me rezultat super të besueshëm.

Blendi Fevziu: Është e shtrenjtë si pajisje?

Klodjan Allajbeu: Nuk është e shtrenjtë, ne këtë pajisje e kemi.

Blendi Fevziu: E keni ju?

Klodjan Allajbeu: Vetëm problemi është sot furnizimi me reagentë. E kemi si pajisje dhe presim furnizimin me reagentë.

/tvklan.al