Kaosi ka goditur gjigantin kroat të Dinamos së Zagrebit. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, drejtuesit vendosën që të ulin pagat me 30% për lojtarët, stafin dhe trajnerët gjatë 6 muajve të ardhshëm.

Por një gjë e tillë nuk u mbështet nga ekipi i parë, trajneri Nenad Bjelica dhe stafi i tij. Të gjithë e refuzuan një gjë të tillë, çka e detyroi kampionin kroat që të marrë masa ekstreme ndaj tyre. Klubi i hakmorr duke prishur kontratat e bashkëpunëtorëve më të afërt të Bjelicës.

Megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi me numrin 1 të pankinës, pasi prishja e menjëhershme e kontratës me të do të sillte dëme të mëdha financiare. Dinamos do t’i duhej ta paguante kontratën e tij deri në fund, që është vera e vitit 2021, me të gjitha shpërblimet dhe klauzolat e vendosura. Bjelica fiton 1.2 milionë Euro në vit, dhe deri në fund të kontratës, i detyrohet një milion e gjysmë Euro. 

Shtoji kësaj edhe shpërblimet e dakorduara për suksesin e tyre në Ligën e Kampionëve këtë sezon. Shto këtu edhe fitimin e kampionatit dhe shuma mund të kalonte vlerën e 2 milionë Euro.

Gjatë kësaj periudhe shumë ekipe kanë vendosur të ulin pagat për shkak se futbolli është ndalur dhe humbjet për klubet sa vijnë e rriten.

Klan Plus