Koronavirusi, Kryeministri dhe kreu i opozitës replika në distancë

Koronavirusi, Kryeministri dhe kreu i opozitës replika në distancë

16:40 25/02/2020

Rama: Nuk luftohet me politikë. Basha: Qeveria të ndalë propagandën!

Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar opozitës dhe medias të mos bëjë politikë me koronavirusin.

“Koronavirusi nuk luftohet me politikë, as me gjithollogji dhe aq më pak me frikë dhe lëre pastaj me panik! Ne kemi qysh momentin e parë të shfaqjes së tij që përgatitemi, në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Kemi bërë e po bëjmë çdo gjë sipas planit. Fatkeqësisht ky vend në çdo vështirësi a fatkeqësi natyrore ose emergjencë shëndetësore që shfaqet, duhet të përballet dhe me fatkeqësinë e tij të madhe të kanaleve e portaleve ku lulëzon injoranca, ligësia, dembelizmi e grykësia e maskarallëkut që në këto raste bëhet çnjerëzor”.

Në kundërpërgjigje kreu i opozitës e ftoi të ndalë propagandën dhe të hartojë urgjent një plan masash.

“Qeveria duhet të ndalë menjëherë propagandën dhe të marrë masa konkrete për kontrollin e qytetarëve që vijnë nga Italia, kryesisht nga rajonet ku koronavirusi ka përhapjen më të madhe. Këto masa nuk mund të jenë show televiziv, por kontrolle të plota në të gjitha pikat hyrëse në Shqipëri. Është urgjent hartimi dhe shpallja e planit të masave dhe informimi i qytetarëve si duhet të veprojnë në rast të dyshimit se janë të prekur nga koronavirus”.

Basha e fton qeverinë të marrë në mënyrë urgjente masa edhe për të prekurit nga tërmeti që jetojnë në çadra, duke e cilësuar neglizhencë kriminale lënien e tyre në kushte aspak të favorshme higjienosanitare dhe me mungesa në ushqime.

Tv Klan




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi