E infektuar një 50-vjeçare nga Shkupi

Një 50-vjeçare në orët e hershme të mëngjesit ka hyrë në Maqedoninë e Veriut përmes vendkalimit kufitar në Tabanoc me një furgon ku ka patur edhe udhëtarë të tjerë.

Vetë është paraqitur në Klinikën Infektive në Shkup dhe siç është njoftuar ka qenë e sëmurë, por në Itali nuk është testuar për koronavirus. Për momentin është në mjekim intensiv, e izoluar nga të sëmurët tjerë në Klinikën infektive.

“Epidemiologët punojnë në gjetjen e kontakteve, si dhe me kë ka udhëtuar, ku janë ata persona tani. Më e rëndësishmja është që të izolohen të gjitha rastet për të cilat parashikojmë se mund të jenë bartës, ndërsa në moment të caktuar nuk ka shenja se testi mund të jetë pozitiv, që do të thotë izolim 14 ditor. Fakti që ka qenë e sëmurë dhe është mjekuar në  Itali na bën të besojmë se faza e saj e inkubacionit ka kaluar derisa ajo ka qëndruar atje”, tha ministri.

Hapi i radhës është që të vërtetohet gjendja e udhëtarëve të tjerë në furgon dhe personave me të cilët ka komunikuar para se të vijë në spital. Ata me shumë gjasë do të izolohen. Autoritetet bëjnë thirrje që të mos shkaktohet panik.

“Për momentin, dy herë e theksuan kryeministri dhe ministri, ju lutem të mos përhapet defetizëm, ju lutem të mos përhapet diçka që ne themi “hyri rasti i parë, shkoi një e katërta e Maqedonisë”, tha ministri.

Pyetjet e gazetarëve për kryeministrin teknik Oliver Spasovski kishin të bëjnë me atë nëse do të anulohen takimet publike në vend për shkak se vendi gjendet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Në lidhje me manifestimet publike të cilat duhet të mbahen më tej, me siguri që shtabi i krizave do të jetë në seanca të vazhdueshme, në bazë të të gjitha informative do t’i marrim vendimet. Për momentin mendojmë  se nuk ka nevojë për çfarëdo qoftë kufizime”, tha Kryeministri teknik.

Spasovski disa herë bëri thirrje për përgjegjësi, personale dhe kolektive që të parandalohet përhapja e epidemisë. Thirrja deri te kompanitë ku disa nga të punësuarit kanë qëndruar në Itali është që t’u mundësojnë që rrinë në shtëpi të paktën 14 ditë, ndërsa kjo këshillë ka të bëjë edhe me shkollat dhe çerdhet. 

Tv Klan