Ndalohen tubimet, aktivitetet sportive me dyer të mbyllura  

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mënyrë plotësuese është mobilizuar në betejën me koronavirusin, prej se dje numri i të prekurve u rrit në shtatë. Pas rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, nga e mërkura mbyllen të gjitha çerdhet, shkollat fillore dhe të mesme, si dhe institucionet e larta arsimore.

Për këtë vendim të qeverisë që do të vlejë për 14 ditë, njoftoi Ministri i Shëndetësisë Venko Filipche i cili po ashtu tha se njëri nga prindërit e fëmijëve që janë deri në 10 vjeç, do të ketë të drejtë të mbetet në shtëpi gjatë dy javëve të ardhshme, pa marrë parasysh nëse punon në kompani vendore apo të huaj, do të paguhet për mungesën.

“Bëj thirrje që të respektohet praktikisht kjo masë dhe pushimi të mos shndërrohet në vizita masovike nëpër vende të lojrave, siç ishte rasti gjatë epidemisë së fruthit. Atëherë kjo mase nuk do të ketë asnjë kuptim. Do të thotë të respektohet masa me qëllim që fëmijët të qëndrojnë në kushte shtëpiake”.

Drejtoresha e Klinikës për Sëmundje të Lëkurës, për të cilën u zbulua se ishte e infektuar me koronavirus, me siguri do të shkarkohet. Ministri Filipche lidhur me këtë rast është konsultuar edhe me Komisionin Antikorrupsion, ku i është thënë se nuk ka pengesa për shkarkimin e saj pa marrë parasysh periudhën parazgjedhore.

Krahas mbylljes së institucioneve arsimore, ndalohen edhe tubimet masive dhe ngjarjet me mbi një mijë pjesëmarrës në 14 ditët e ardhshme, kurse rekomandohet që të anulohen edhe ngjarjet tjera me më pak të pranishëm. Edhe garat sportive në 30 ditët e ardhshme do të mbahen pa prezencë të publikut.

Pas ndërprerjes së linjave ajrore me Italinë, Qeveria ndaloi edhe transportin e organizuar me autobusë drejt vendeve me rrezikshmëri të lartë nga koronavirusi, në radhë të parë pikërisht drejt Italisë që është më tepër e prekur në Evropë, por edhe drejt Francës.

Ministri Filipche njoftoi se nuk ka raste të reja të të prekurve nga koronavirusi, duke përgënjeshtruar spekulimet nëpër disa media. Për momentin ka shtatë raste të infektuar me koronavirus, kurse rreth 200 persona janë të izoluar. Ai gjithashtu tha se jo të gjithë të izoluarit janë me sigurim policor, por vetëm në vende ku kanë rekomanduar epidemiologët. 

Tv Klan