“Nuk ka vend për panik”

Emisioni “Historia ime” në TV Klan u ndal ditën e sotme tek situata që është krijuar kudo në botë për shkak të koronavirusit. I ftuar në studio ishte mjeku infeksionit Pëllumb Pipero, i cili foli për gjendjen e krijuar në vendin tonë. Ai u shpreh se nuk ka vend për panik nga ana e qytetarëve, por vetëm vend për kujdes të shtuar.

Ndërkohë sipas mjekut, fakti shtetet tona fqinje kanë disa raste të konfirmuara me koronavirus tregon që vendi jonë nuk është më vend me riskt të ulët. Kështu edhe mundësia për të hyrë koronavirusi në vendin tonë është më e madhe.

Pëllumb Pipero: Ndjejmë një lloj paniku në qytetarët, kjo ndjehet përditë. Ne shohim qoftë jo vetëm përmes kujdesit, por edhe vrapit për të blerë maska, për të blerë detergjentë, për të blerë maska, për të blerë dezifektantë. Ndjejmë një lloj shqetësimi midis bluzave të bardha, ndjejmë shumë angazhim nga autoritetet drejtuese, qofshin ato shëndetësore, qofshin edhe tek shërbimi ynë. Fakt deri tani është se nuk kemi asnjë rast të konfirmuar, kemi patur 12 ose 13 raste të dyshuar, të cilët janë analizuar në Institutin e Shëndetit Publik dhe kanë rezultuar negativ. Jemi në periudhën e gripit stinor dhe ne kemi 160-170 vizita çdo ditë, midis të cilëve 40-50 janë me sindromë gripale, ku më shumë dhe ku më pak. Sa kohë rreth këtij virusi misterioz ka shumë të panjohura dhe klinika është e ngjashme si dy pika uji në fillimet e saj me gripin stinor, natyrisht që kujdesi është i shtuar. Por dua të them se vend për panik nuk ka. Ajo që dua të them është se deri dje, konsideroheshim dhe ishin vend me risk të ulët, tani nuk jemi vend me risk të ulët sepse e kemi rreth e qark kufijve tanë dhe mundësia për të hyrë është e madhe, ndoshta punë ditësh, ndoshta punë javësh, gjë që nuk e dëshirojmë, por nuk i shpëtojmë.

Mirela Milori: Mendoni se është çështje ditësh doktor?

Pëllumb Pipero: Unë mendoj si mjek i vjetër, që nuk është çudi të jetë punë ditësh, punë orësh, punë javësh, ndoshta s’vjen fare, nuk është çudi të jetë, ta kemi dhe mos ketë probleme shëndetësore dhe nuk ka arsye të vejë tek doktori dhe nuk identifikohet. Këto janë gjëra që ne i diskutojmë, por sa kohë nuk kemi rast të konfirmuar, nuk ka vend as për frikë, as për panik. Ka vend për kujdes të shtuar dhe kujdes i shtuar sinqerisht, nuk është ajo maska që venë njerëzit në rrugë dhe i shikojmë si shfaqje dhe mua më duket jonormale, si mjek me eksperiencë, ndërkohë ka masa të tjera shumë me efikase se ajo maska për të na mbrojtur./tvklan.al