Kina është në gjendje emergjence për shkak të koronavirusit, ndërsa masat e ndërmarra nga autoritetet shëndetësore janë shumë të rrepta.

Mjekët dhe infermierët po punojnë pa pushim dhe me orare të zgjatura për të ndihmuar të prekurit nga virusi i rrezikshëm, që deri më tani ka shkaktuar mbi 800 të vdekur.

Një nga mijëra infermieret që po kujdeset për pacientët e infektuar është edhe Chen Ying, e cila punon në një spital në Hangzhou.

Si pjesë e masave të qeverisë kineze, ky spital është shndërruar në një karantinë, e për pasojë, masat janë të rrepta.

Si rezultat, kjo infermiere e re kishte 11 ditë pa u takuar me partnerin e saj. Kërkesat e përsëritura të këtij të fundit bënë që autoritetet e spitalit ta lejonin atë të shihte partneren e tij për pak kohë. Por, një derë xhami i ndante ata, duke mos i lejuar që të takoheshin siç kishin dëshiruar.

Ata shkëmbyen një puthje përmes xhamit, dhe këto pamje kanë bërë xhiron e internetit. Sipas shtypit ndërkombëtar, çifti do të martohet sapo të përfundojë gjendja e emergjencës. /tvklan.al