Testet te spitalet private? Rama: E vendos ISHP-ja

Për kryeministrin Edi Rama vendi nuk duhet të mbyllet sërish sa i përket pandemisë së koronavirusit. Ai deklaroi këtë të premte se një mbyllje e vendit në të ardhmen është diçka “me përmasa jashtëzakonisht kritike për të gjithë”.

Kreu i qeverisë deklaroi se njerëzit duhet të marrin përgjegjësinë. Ai u shpreh që ata duhet të jenë të vetëdijshëm që virusi nuk ka ikur akoma.

“Një mbyllje tjetër e Shqipërisë është diçka me përmasa jashtëzakonisht kritike për të gjithë. Një kontroll i rregullave në hapje, me polici dhe ushtri për çdo qytetar është i pamundur. Rritja e numrave ndodh në të gjitha vendet që hapen dhe është çdo qytetar që duhet të marrë përgjegjësinë e vet. Po bëjmë çmos për sa na takon, por nuk mendoj që duhet t’i kthehemi mbylljes. Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm që virusi nuk ka ikur dhe nuk do ikë”, tha Rama, i cili shtoi se mbyllja e parë shërbeu si masë për t’u vetëdijësuar se virusi qarkullon mes nesh.

Kreu i qeverisë tha se është në dorë të ISHP-së të vendosë nëse do të kenë të drejtë spitalet private të bëjnë teste apo jo.

“Kemi rritur numrin e testeve dhe testet i bën autoriteti përkatës. A ja jep, a s’ja jep të drejtën spitale private, kjo është çështje e autoriteteve përkatëse”, tha Rama./tvklan.al