Numërohen 7 viktima dhe 270 të prekur

Koronavirusi shënon rastin e parë në jug të Italisë. Një turiste nga Bergamo që kishte shkuar për pushime në Palermo rezultoi pozitive ndaj testeve të koronavirusit dhe aktualisht po i nënshtrohet kurës në spitalin e qytetit.

Analizave po u nënshtrohen edhe personat, me të cilët ajo ka pasur kontakte. Rasti i parë është shënuar edhe në rajonin e Toskanës. Në Firence, një 60-vjeçar, sipërmarrës i ardhur nga Singapori rezultoi pozitiv.

Sakaq gjatë kësaj të marte nuk janë shënuar viktima të reja. Numri i tyre mbetet në 7, ndërsa listës së të prekurve i janë shtuar 41 persona, duke e çuar në 270 numrin e përgjithshëm të tyre. Masat e qeverisë italiane vijojnë të jenë të forta. Është angazhuar ushtria për të garantuar izolimin 11 qytezave, që janë futur në karantinë.

Nga frika e përhapjes së koronavirusit, disa vende të rajonit si Serbia, Bosnja, Kroacia, por deri edhe Izraeli e Irlanda kanë këshilluar shtetasit e tyre të mos udhëtojnë drejt Italisë.

Kompania ajrore Bulgaria Air njoftoi anulimin e fluturimeve drejt Italisë deri më 27 Mars. Udhëtarët që kanë prerë biletat do të kompensohen. Ndërsa Kuvajti ka bllokuar të gjitha fluturimet drejt Italisë.

Pas Kinës dhe Koresë së Jugut, Italia është vendi i tretë në botë nga numri i të prekurve. Aktualisht numërohen 2704 viktima në gjithë globin, mbi 80 mijë të infektuar dhe afro 28 mijë të shëruar.

Tv Klan