Vetëm të mërkurën ndërruan jetë 254 persona

Numri i vdekjeve brenda një dite nga Koronavirusi theu një rekord të ri të mërkurën, po ashtu edhe ai i të infektuarve. Autoritetet shëndetësore kineze njoftuan për 254 të vdekur dhe 15 152 të infektuar të rinj më 12 Shkurt.

Shkak i këtij numri të lartë vdekjesh ka qenë një diagnozë e re që nisi të përdorej pikërisht të mërkurën nga mjekët në provincën e Hubeit, kryeqendra e të cilit, Vuhani, është vatra e koronavirusit.

Qëllimi i përdorimit të një diagnoze të re ishte përshpejtimi i kohës së ofrimit të kurave për pacientët gjithnjë e në rritje, një vendim që gjithsesi ka rezultuar i gabuar dhe që ka çuar në shkarkimin edhe të drejtuesve të provincës së Hubeit dhe kryeqendrës Vuhan.

Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur kështu në 1 350, ndërsa ai i të infektuarve në 60 mijë. Vetëm 1 viktimë është shënuar deri më tani jashtë territorit kinez, në Filipine.

Vijon të rritet edhe numri i të prekurve në tragetin me 3 700 persona në bord që qëndron në brigjet japoneze prej më shumë se një javë. Numri i të infektuarve ka arritur së fundi në 2 018.

Tv Klan