Shënohen 106 viktima dhe mbi 4 mijë të prekur

Rrugët duhej të gëlonin nga njerëzit në këtë periudhë feste të vitit të ri kinez në Vuhanin e mbi 11 milionë banorëve. Por përhapja e koronavirusit dhe masat e ashpra kundër virusit të ndërmarra nga qeveria kineze e kanë shndërruar atë në një qytet të shkretuar.

Në rrugë duken vetëm pak njerëz e makina, ndërsa sistemi i metrosë dhe qendrat e mëdha tregtare janë kyçur. Banorët shmangin në shumicën e kohës daljen në rrugë nga frika e infektimit nga virusi që prek rrugët e frymëmarrjes dhe transmetohet përmes kollës dhe teshtimave. Banorët e këtyre pallateve të lartë, për t’u dhënë kurajo njëri-tjetrin dalin nëpër dritare dhe bërtasin në kor “vazhdoni betejën” dhe këndojnë këngë patriotike.

Numri i viktimave ka arritur në 106, 25 më shumë se një ditë më parë. Edhe në kryeqytetin Pekin është regjistruar pacienti i parë i vdekur. Dyfishi i të hënës është numri i personave të prekur, mbi 4 mijë. Ndërsa 7 mijë janë rastet e dyshuara. Shkollat, universitetet dhe shumë institucione publike do të qëndrojnë të mbyllura edhe pas mbarimit të festës.

Shkencëtarët kineze po punojnë me ritme të shpejta për gjetjen e kurës kundër virusit. Tashmë janë 16 vende të botës me raste të konfirmuara të të prekurve.

Tv Klan