7 të vdekur dhe 833 të infektuar në Korenë e Jugut

Koronavirusi tanimë e ka shtrirë trajtoren e tij në Korenë e Jugut. Sipas të dhënave, deri më tani janë regjistruar 833 persona të infektuar, si dhe 7 persona kanë humbur jetën.

Shumica e rasteve që rezultuan pozitiv me virusin janë gjetur në një kishë të sektit pseudokristian. Autoritetet po testojnë mijëra besimtarë të tjerë me qëllim identifikimin dhe izolimin e të infektuarve.

Autoritetet kanë marrë masa të ashpra duke izoluar zonat ku ka shpërthyer koronavirusi, ndërkohë ushtria ka pezulluar rekrutimet me 2 javë pasi 11 ushtarë rezultuan pozitiv me virusin.

Qyteti më problematik mbetet ai i Daegu, ku Koreja e Jugut ka marrë masa duke pezulluar fluturimet për ta izoluar qytetin. Aktualisht Koreja e Jugut është vendi i dytë në botë për rastet me koronavirus pas Kinës.

Në Kinë numri i vdekjeve mbetet ende tragjik. 150 viktima janë regjistruar në 24 orët e fundit, të gjitha në rajonin e Hubei duke e rritur numrin e atyre që kanë humbur jetën në 2619 ndërsa i të infektuarve në 78 mijë. 

Pekini ka vendosur të trefishojë pagat e 30,000 mjekëve që punojnë në spitalet në Hubei. Gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën edhe dy mjekë të tjerë pasi më herët rezultuan pozitiv me virusin vdekjeprurës.

Nga ana tjetër, prodhimi i maskave kirurgjikale po bëhet rritet gjithnjë e më shumë. Çmimet gjithashtu janë rritur ku një maskë kushton nga 40 euro deri në 200 euro. 

Vdekje të tjera janë regjistruar edhe jashtë Kinës. Në Iran është shënuar shifër rekord të personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi. Aktualisht numri ka arritur në 50. Vdekjet janë regjistruar në qytetin Quom.

Autoritetet në Iran kanë mbyllur shkollat ​​në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa vendet fqinje kanë urdhëruar që të mbyllnin kufijtë e tyre për të gjithë qytetarët iranianë. Kuvajti dhe Arabia Saudite kanë pezulluar shumë fluturime drejt Iranit.

Ndërkaq edhe Ministria e Shëndetësisë e Kuvajtit ka deklaruar se 3 persona kanë rezultuar pozitivë me koronavirus në vend, pasi ishin kthyer nga qyteti iranian Mashhad.

Raportohet se nga tre personat e infektuar, një prej tyre ishte shtetas saudit 61-vjeç, një tjetër shtetas kuvajtian 53-vjeç, ndërsa shtetësia e personit të tretë nuk është bërë ende e ditur.

Klan Plus