Elezi: Drafti do të ripunohet nga opozita dhe mazhoranca

3 muaj pas depozitimit në Kuvend, mazhoranca vendosi të nisë shqyrtimin e projektligjit për ngritjen e Korporatës së Investimeve.

Por edhe pse Ministria e Financave dhe Ekonomisë u thirr për të raportuar lidhur me këtë nisëm ligjore, asnjë prej kryetarëve të dy komisioneve, ku drafti do të diskutohej, Arben Ahmetaj te Komisioni i Ekonomisë dhe Niko Peleshi te Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, nuk drejtuan seancën as ditën e hënë dhe as këtë të martë.

Nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, i cili i përket opozitës së re parlamentare, Arben Elezi tha se është vendosur që drafti të diskutohet në Shtator, duke rishikuar disa pjesë të këtij ligji nga një grup ekspertësh që i përkasin të dyja palëve, pozitës dhe opozitës.

 “Do ta rishikojmë dhe do të punojmë në mënyrë që ligji të ketë dobi për qytetarët. Sot nuk i shërben atyre dhe nuk ka transparencë”, tha Elezi.

Projektligji për Korporatën e Investimeve ka hapur debate publike lidhur me kompetencat që shteti i jep kësaj njësie për administrimin e pronës publike. Korporatës po ashtu i njihet e drejta të marrë borxh dhe të përjashtohet nga procedurat ligjore të prokurimit publik edhe në zgjedhjen e fituesve të projekteve koncesionare, ndërsa do të financohet me kapital nga buxheti i shtetit.

Vetë Fondi Monetar në raportin e muajit Maj tha se “këshillonte fuqimisht autoritetet që të rishikojnë nismën për krijimin e korporatës, si dhe ta përfshijnë atë në procedurat e ligjit për prokurimin publik”.

Tv Klan