Gjatë 2023 pritet të nisin punimet

Pas një periudhe të gjatë pritje e diskutimeve në opinion më në fund u nënshkrua dokumenti vendimtar për realizimin e projektit të shumëpërfolur, por edhe më të madh infrastrukturor në vend –  Korridorit 8 dhe 10D. Nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin dhe  mbikëqyrjen e transaksioneve  u bë nga autoritetet e RMV-së dhe drejtorit të konzorciumit ndërkombëtar IRD Engineering. Sipas Kryeministrit Kovaçevski, ky është projekti më i madh i infrastrukturës kapitale në historinë e vendit.

“Ndërtimi i austostradave në Korridoret 8 dhe 10 D ka rëndësi kyçe për ngritjen e nivelit të cilësisë së infrastrukturës rrugore, me çka do të përcaktojmë pozitën gjeostrategjike të RMV-së, e cila përmes këyre projekteve do të bëhet rrugë e pashmangshme për transport në rajon dhe më gjerë”

Për nesër, siç njofton KlanM, është thirrur seanca e komitetit drejtues ku do të merret vendimi që të nisin negociatat midis konsulentit të zgjedhur “IRD Inxhinjering” dhe konzorciumit “Behtel dhe Enka” që do t’I ndërtojë dy korridoret.

Për Zv/Kryeministrin e parë, Artan Grubi dita e sotme paraqet një ditë historike për Maqedoninë e Veriut.

“Sot është vërtet një ditë historike për Maqedoninë e Veriut. Ne po fillojmë ndërtimin e projektit më të madh infrastrukturor në historinë e Republikës së pavarur të Maqedonisë, i cili do të jetë shumë domethënës për të gjithë qytetarët tanë, për ekonominë tonë dhe për lidhje rajonale.”

Me këtë projekt është planifikuar ndërtimi i autostradave: Trebenishtë – Strugë – Qafëthanë 22.5 kilometra, Gostivar – Bukojçan 30.1 kilometra, Tetovë – Gostivar 27 kilometra, dhe seksioni nga Korridori -10 D Prilep – Manastir 43.4 kilometra. Në  buxhetin e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve janë paraparë 15 miliardë Denarë ose 244 milionë Euro. Gjatë vitit pritet të nisin aktivitetet e ndërtimit.

Klan Macedonia