Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një operacion në Lushnje.

Sipas informacioneve të deritanishme mësohet se janë ekzekutuar 11 urdhër-arreste, pra 11 persona të arrestuar, zyrtarë e ish-zyrtarë të Bashkisë së Lushnjes e disa institucioneve të tjera si dhe biznesmenë, nën dyshimet për korrupsion me tenderat publikë. Mes të ndaluarve është edhe kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe.

Këto janë edhe pamjet nga momentet e operacionit të RENEA dhe FNSH duke kryer kontrolle në disa institucione të Lushnjes për të ekzekutuar urdhër-arrestet e SPAK.

Klan News raporton se të arrestuarit janë Flamur Peqini, Xhemal Hasko, Blerta Turuku, Ani Simoni, Andri Mushaj, Margarita Gjermeni, Bujar Murati, Ibrahim Lami dhe Gazment Çela.

Po sipas Klan News, Flamur Peqini konsiderohet si kreu i grupit të të arrestuarve, ka mbajtur detyrën e kreut të Inspektoratit të Ndërtimit në Lushnje.

Mësohet se të arrestuarit janë përfshirë në korrupsion në një tender kanalizimesh që kapte vlerën e 24 milionë Lekëve.

Në këtë operacion, RENEA dhe FNSH zbarkuan mëngjesin e sotëm në disa institucione. Hetimet për këtë dosje kanë nisur disa muaj më parë.

Operacioni i SPAK vjen një ditë pas deklaratës së kreut të ketij institucioni, Arben Kraja, i cili paralajmëroi arrestime të zyrtarëve të lartë për çështje të korrupsionit.

Pamjet| Momenti i arrestimit të nëndrejtorit në Lushnje gjatë operacionit të SPAK

Ky është arrestimi i Gezmend Çelës, njërit prej 11 zyrtarëve të arrestuar në Lushnje për korrupsion me tenderin e një kanalit ujitës në vlerën e 24 milionë Lekëve.

Gazmend Çela është nënkryetar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjes. Ai është arrestuar nga punonjësit e policisë me urdhër të SPAK që ka kryer hetimet.

Arrestimi i tij është filmuar nga kamera e Klan News. Në pamje është edhe Blerta Turku, juristja e institucionit, e cila është arrestuar gjithashtu.

Ndër të arrestuarit është edhe kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, i akuzuar për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim.

Të arrestuarit:

-Fatos Tushe

-Flamur Peqini

-Xhemal Hasko

-Blerta Turku

-Ani Simoni

-Andri Musho

-Margarita Gjermeni

-Bujar Murati

-Ibrahim Lami

-Xhemal Hasko

-Gazmend Çela

Reagon Kryeministri Rama: Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve.

Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak“.

Reagon ambasadorja amerikane Yuri Kim:Nëse jeni të përfshirë në korrupsion, pa marrë parasysh sa të fuqishëm mendoni se jeni, është koha që të konsideroni se çfarë ndikimi do të kenë për familjen dhe vendin veprimet tuaja. Është koha të shqyrtoni nëse ia vlen të shkoni në burg. Është koha që të ndaloni. Askush nuk është mbi ligjin”.

Reagon kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha:Arrestimi i Fatos Tushës pas denoncimeve shumëvjeçare nga PD të bashkëpunimit të tij korruptiv me krimin e organizuar, mund të jetë një fillim i mbarë. Por kjo do të varet nga aftësia, kuarajo dhe pavarësia e drejtësisë për të goditur lidhjet e pushtetit me krimin, lidhjet e Hakmarrjes për Drejtësi me Tushën, Braçen dhe vetë Ramën, dhe përfitimet e tyre të ndërsjellta në vite të gjata bashkëpunimi“.

Skema/ Si u vodhën paratë e tenderit për kanalin ujitës që çuan prapa hekurave Fatos Tushen

Detaje të reja janë mësuar nga operacion antikorrupsion i zhvilluar në Bashkinë e Lushnje, ku në pran ra dhe kreu i saj, Fatos Tushe. Klan News ka siguruar dhe një pjesë të dosjes së SPAK ku jepen detaje për të arrestuarit.

Sipas njoftimit të SPAK bëhet me dije se Fatos Tushe akuzohet veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ndërkohë mësohet se hetimet kanë nisur për tenderin e një kanali ujitës me vlerë 24 milionë Lekë.

Mes të arrestuarve janë dhe dy administratorët e formave që kanë fituar këtë tender, por sipas SPAK gjithçka është abuzim dhe nuk janë ndjekur procedurat ligjore. Burime bëjnë me dije se lekët e tenderit kalonin fiktivisht në kompanitë private.

Kanali që shihni në foto është pjesë e dosjes hetimore dhe mësohet se kanë qenë pikërisht punimet këtu që kanë prangosur kreun e Bashkisë Lushnje.

Njoftimi i SPAK për arrestimet në Bashkinë Lushnje

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 199 datë 22.07.2020 në bazë të materialit referues nga policia gjyqësore, dhe ka vijuar hetimet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” “Shkelja e barazise se pjesëmarrësve ne tendera apo ankande publike dhe “Shpërdorim i detyres”, “Falsifikim i dokumentave” parashikuar nga nenet 259, 258, 248, 186 dhe 25 të Kodit Penal.

Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të alternuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit. Nga ky hetim u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se jemi para veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim. “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Falsifikim i dokumentave”, kryer në bashkëpunim, sipas neneve 248-25, 258 25 dhe 186-25 të Kodit Penal.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.50 datë 05.07.2021 ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasit:

1. Fatos Tushe, me detyrë Kryetar i Bashkisë Lushnjë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal.

2. Flamur Peqini me detyrë Drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnjë i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, sipas neneve 248-25, 258-25 të Kodit Penal.

3. Ibrahim Lami, administrator i kompanisë Loti shpk, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikim i dokumenteve” kryer në bashkëpunim të parashikuar nga 186 dhe 25 të Kodit Penal.

4. Bujar Murati, administrator i kompanisë Euro Alb shpk, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikim i dokumenteve” kryer në bashkëpunim të parashikuar nga 186 dhe 25 të Kodit Penal.

5. Gazmend Çela” zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 258 dhe 25, të K.Penal.

6. Bektash Nexha zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 258 dhe 25, të K.Penal.

7. Blerta Turku, zyrtare e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 258 dhe 25, të K.Penal. Gjithashtu me vendimin nr.50 datë 07.05.2021 Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, për të hetuarit:

8. Xhemal Hasko, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 258 dhe 25, të K.Penal;

9. Margarita Gjermëni, zyrtare e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 258 dhe 25, të K.Penal;

10. Andri Musho, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 258 dhe 25, të K.Penal;

11. Ani Simoni, zyrtare e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelje e barazisë së pjesmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 258 dhe 25, të K.Penal

Policia e Shtetit ka ekzekutuar në datën 06.07.2021 ka ekzekutuar masat e sigurimit të caktuara nga Gjykata me vendimin nr.50 datë 05.07.2021.

Gjithashtu në zbatim të vendimit nr.227 dt 03.07.2021 dhe nr.229 datë 05.07.2021 Policia Gjyqësore Pranë Policisë së Shtetit ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe zyra të subjekteve të hetuar dhe të tjerë. Hetimet e procedimit penal vazhdojnë deri ne sqarimin e plotë të fakteve objekt hetimi./tvklan.al