Do të qëndrojnë të paktën 45 ditë në qeli

Burg me afat 45 ditë ka caktuar Gjykata e Tiranës për 3 infermieret e spitalit Covid 2, Mira Bushi, Sheqerije Koçi, Sidorela Çela dhe sanitaren Rukije Hoxhaj.

Të pyetur nga gjyqtarja Rexhina Merlika, infermieret mohuan të kenë patur lidhje me rastin për të cilin u ndalua 1 muaj më parë sanitarja Tire Alldërvishi, ndërsa sanitarja tjetër tha se nuk e njeh fare Alldërvishin.

Lidhur me hetimin, prokurori i çështjes Bledar Valikaj tha se personat e ndaluar në momentin e arrestimit të Tire Alldërvishit kanë fshirë bisedat në celular me këtë të fundit duke ngritur kështu akoma më shumë dyshimet në përfshirjen në këtë skemë abuzimi.

Prokurori tha se dosja për spitalin “Shefqet Ndroqi” do të bëhet akoma më voluminoze pasi hetimet vijojnë për pjesëtarë të tjerë të stafit ndërkohë që bëri me dije se është komunikuar edhe me SPAK për çështjen por Prokuroria e Posaçme ka orientuar që dosja të kalojë në Prokurorinë e Tiranës.

Avokatet e të arrestuareve kërkuan masa më të lehta sigurie si dhe cilësimin e paligjshëm të ndalimeve. Në fund gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg për 45 ditë, duke kërkuar nga Prokuroria prova të tjera.

Gjykata kërkoi veprime hetimore shtesë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për shpërdorim detyre apo dhënie të dhuratave me pëlqim.

Ndërsa Gjykata e Apelit liroi nga qelia infermieren e spitalit infektiv Ronida Hysi që u arrestua pasi i vodhi  800 mijë Lekë një pacienti të sëmurë me koronavirus që më pas ndërroi jetë.

Togat e zeza të kryeqytetit pranuan kërkesën e Prokurorisë që Hysi të hetohet me masën e arrestit shtëpiak me argumentin se është nënë e një fëmije të mitur.

Tv Klan