Akuzohen si bashkëpunëtore të Tire Alldervishit

Gjykata e Apelit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe liroi nga qelia dy infermieret e spitalit “Shefqet Ndroqi”, Sheqerie Koçi dhe Mira Bushi. Ato u ndaluan si bashkëpunëtore të sanitares Tire Alldervishi, e përfshirë në skandalin e marrjes së 800 mijë lekëve ryshfet nga familjarët e një pacienteje që më pas ndërroi jetë.

Ishte vetë prokuroria që kërkoi të zbutej masa e sigurisë nga arrest në burg në “detyrim paraqitje” për shkak të gjendjes shëndetësore të dy infermiereve. Pak ditë më parë Apeli liroi edhe infermieren Sidorela Çela dhe sanitaren Rukije Hoxhaj.

Të katërta akuzohen se në bashkëpunim me Tire Alldervishin kanë marrë para nga të afërm të pacientëve, në këmbim të shërbimit që duhet tu bënin të infektuarve me Covid.  Prokuroria i akuzon për veprën penale shpërdorim detyre dhe mashtrim. Organi i akuzës pretendon se te dyshuarat kanë krijuar një skemë të mirëfilltë zhvatje.

Gjykata penale i kishte lënë disa detyra prokurorisë, që të përcaktonte rolin që ka pasur secila nga të dyshuarat në këtë skemë si dhe të përcaktonte qartë akuzat që rëndonin ndaj tyre. Mësohet se grupi hetimor po verifikon kartelat mjekësore të personave që janë kuruar  dhe kanë humbur jetën në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Ekspertët do të verifikojnë nëse kemi të bëjmë me mjekim të pakujdesshëm nga ana e bluzave të bardha. E vetmja që qëndron në qeli për këtë skandal është Tire Alldervishi.

Tv Klan