Ngrihet flamuri, Vjosa Osmani e Albin Kurti homazhe te varri i iBrahim Rugovës
Ngritja e flamurit shtetëror shënoi fillimin e ceremonive zyrtare në Prishtinë për 13 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Të ftohtë dhe pa shumë komunikim mes tyre, në ceremoni ishte Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani dhe Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Ngritja e flamurit shtetëror u bë nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Pas ngritjes së flamurit shtetëror, Osmani uroi Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Pas kësaj Osmani dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti bënë homazhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
“E nderuam arkitektin e Pavarësisë së Kosovës, presidentin historik, Ibrahim Rugova. Njeriun që sublimoi dhe unifikoi kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet. Njeriu që i hapi dyert e mbarë botës në mënyrë që zëri ynë, zëri i popullit të Kosovës të kumbojë dhe dëgjohet kudo”, tha Osmani.
Nërsa, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, u shpreh me fjalët:
“Sot ne kujtojmë personalitetet politike, historike dhe kombëtare në faza dhe mënyra të ndryshme. Andaj ne jemi te presidenti i parë, i Republikës së parë të Kosovës i cili është edhe presidenti i parë i Kosovës së çliruar për të vazhduar me aktivitete të tjera. Në veçanti falënderojmë qytetarët e Kosovës që kanë kontribuuar për këtë ditë të rëndësishme, përvjetorin e 13 të cilën e shënojmë sot”.
Homazhe pranë varrit të ish presidentit Ibrahim Rugova bëri edhe Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti. Ai tha se me shpalljen e Pavarësisë, Kosova u bë pjesë e familjes euro-atlantike.
“Duke bërë nderime në këtë vend që është akti themeltari i Republikës së Kosovës, që është projekti më i madh 30 vjeçar që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë e këndej, i fuqizimit të kombit shqiptar. Me shpalljen e Kosovës shtet ne u bëmë pjesë e familjes euro-atlantike. Qytetarët e Kosovës do t’i jenë përherë mirënjohës presidentit Rugova dhe të gjithë atyre që kanë rënë për liri të vendit”, u shpreh, Hoti.
Ndërkohë që, kreu i Aleancës për Ardhmërinë̈ e Kosovës, Ramush Haradinaj, mëngjesin e 17 Shkurtit, e filloi me homazhe te varrezat e Reçakut e më pas në Gllogjan.
Për shkak të pandemisë ceremonitë festive për ditën e pavarësisë u kufizuan. Ndërkohë ky përvjetorin e gjen Kosovën me udhëheqësit e UÇK-së në Hagë, në bankën e të akuzuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Për të përkrahur UÇK-në, Obelisku NEWBORN në Prishtinë ndryshoi pamjen sivjet.
Klan News