Tensionet në veri po i largojnë investitorët potencialë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna, ka deklaruar se Kosova ka pësuar 300 milionë Euro humbje nga sanksionet e BE-së.

“Çështjet e hapura që kemi me Serbinë ne duhet t’i mbyllim sa më shpejtë që është e mundur, në mënyrën më të mirë të mundshme me njohje të ndërsjelltë. Edhe Serbia të na njohë si shtet, por edhe ne ta njohim Serbinë si shtet ashtu siç ka qenë qëllimi që në fillim.”

Rafuna thekson se tensionet në veri po i largojnë investitorët e huaj, pasi në mediat ndërkombëtare Kosova paraqitet si shtet jo i qëndrueshëm.

“Tensionet që ndodhin në Kosovë padyshim nuk janë një mesazh i mirë për investitorët e huaj. Dihet që mediat e huaja thuajse hiç ose rrallë shumë japin lajme të mira ose mesazhe që Kosova është një vend me një rini të mirë apo që është një vend me potencial të mirë për të thithur investime të huaja.”

Masat e BE-së ndaj Kosovës hynë në fuqi më 28 Qershor të vitit të kaluar për shkak se qeveria Kurti nuk përmbushi një plan evropian për qetësimin e situatës që nënkuptonte tërheqjen e forcave policore dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.

Masat ndëshkuese kanë goditur më shumë sektorin e energjisë kosovare.

Sipas ekspertëve të ekonomise nëse masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës vijojnë, dëmet do të jenë mbi 500 milionë Euro.

Klan News