Asambleja Parlamentare e NATO-s ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese, në anëtare të asociuar. Në lidhje me këtë lajm ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë. Përgëzime të gjithë zyrtarëve të shtetit që punuan për këtë arritje, e shumë urime qytetarëve të Republikës. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë”, tha ai.

Shumica e vendeve votuan pro për Kosovës që të bëhej anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare. Një votë ishte kundër ndërsa 14 të tjera abstenuan./tvklan.al