Kuvendi i Kosovës miratoi unanimisht 3 pr/ligjet historike që e shndërrojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në Ushtri. Pa ndryshuar emrin, FSK-ja shndërrohet nga forcë civile në ushtarake, nën drejtimin e Ministrisë së të Mbrojtjes të formuar rishtazi. Pr/ligjet morën mbështetjen e të 106 deputetëve të pranishëm në sallë, duke bashkuar si rrallë herë klasën politike kosovare, por munguan deputetët serbë.

Hashim Thaçi, President i Kosovës: Ndihem jashtëzakonisht i emocionuar e i vendosur për avancimin e reformave dhe avancimin e axhendës dhe domosdoshmërinë që të arrihet marrëveshja paqësore Kosovë-Serbi.

Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës: Kjo është Ushtri e paqes, e të gjithë shqiptarëve të Kosovës, serbëve, romëve… etj Vijmë në paqe e për paqe do të jemi gjithnjë.

Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes: Ju uroj të gjithëve, kjo fitore është e çdo qytetari e çdo politikani.

Ushtria e sapoformuar bëri parakalimin e parë gjatë pasdites në një ceremoni të veçantë ku të pranishëm ishin krerët më të lartë të shtetit.

Hashim Thaçi, President i Kosovës: Ushtria e Kosovës është bërë institucioni që më së miri paraqet vlerat e Kosovës dhe shoqërisë sonë.

Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës: Rreshti është fjala e parë që mëson kur nisesh për ushtar. Rreshti për ne ka qenë i mohuar. Të tjerët janë bërë rresht e veç ne s’na kanë lënë të bëhemi rresht.

Me festime u prit themelimi i ushtrisë nëpër Prishtinë, ku spikasnin edhe flamujt amerikanë si mirënjohje për mbështetjen ndaj ushtrisë.

Tv Klan