Shtetet perëndimore kanë mirëpritur kërkesën e qeverisë së Kosovës që Agjencia Kadastrale e Kosovës të zbatojë vendimin për tokën e Manastirit të Deçanit, përderisa zyrtarët lokalë dhe një shoqatë e historianëve të Deçanit kanë vazhduar kundërshtitë e tyre për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 13 mars se kërkesa drejtuar Agjencisë Kadastrale është bërë pasi që zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë të Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Kurti tha se, ndonëse Qeverisë së Kosovës nuk i pëlqen vendimi – të cilin e ka cilësuar “të çuditshëm” e “të padrejtë” – ajo nuk ka mjete ligjore e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Shefi i ekzekutivit kosovar deklaroi se nuk do të ndryshojë qëndrimi i qeverisë ndaj “këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë”, por se, në anën tjetër, nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për republikën tonë drejt njohjes nga pesëshja evropiane, që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur”.

Kurti, po ashtu, bëri të ditur se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës, përderisa ka theksuar se procesi i vendimmarrjes për anëtarësimin e Kosovës do të përfundojë në maj.

“Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e komunitetit atje, nga mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, dhe në fund të majit është shqyrtimi nga Këshilli i Ministrave, në Këshillin e Evropës, që vendos për anëtarësimin tonë”, tha ai.

Siç mëson jozyrtarisht Radio Evropa e Lirë nga burimet e saj në qarqet kishtare, Dioqeza e Rashkës-Prizrenit nuk do të deklarohet për këtë çështje, derisa të sigurohet plotësisht se 24 hektarët tokë dhe pyje të regjistrohen në emër të Manastirit të Deçanit.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës është përshëndetur menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një konferencë për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në Prishtinë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se “aq sa ishte i rëndësishëm dhe i vështirë, vendimi i sotëm për Manastirin ishte shumë i domosdoshëm”.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se vendimi i ekzekutivit kosovar “demonstron përkushtimin e Kosovës për të respektuar sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit”.

Zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit është mirëpritur edhe nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde.

Përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter, diplomati gjerman tha se pavarësisht se zbatimi i këtij vendimi është i vonuar, ai paraqet “një hap të rëndësishëm në angazhimin e Kosovës për sundim të ligjit”.

Ndërkaq, kreu i misionit në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Davenport, tha se zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit “do të ruajë respektin për sundimin e ligjit”./REL