Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar përkohësisht importin e mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve nga Brazili.
Ky vendim është marrë si pasojë e shpërthimit të gripit të shpendëve në një fermë komerciale në shtetin Rio Grande të Brazilit, i konfirmuar më 16 Maj 2025 nga autoritetet braziliane.
Sipas Agjencisë ky vendim synon të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjes në territorin e Kosovës.
“Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve. Ky vendim është në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe veprimet e ndërmarra nga vende të tjera, përfshirë Bashkimin Evropian, Kinën, dhe vende tjera të cilat kanë pezulluar importet e mishit të pulës nga Brazili pas konfirmimit të shpërthimit të gripit të shpendëve”.
Vendimi që është marrë më datë 20 do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, bazuar në situatën epidemiologjike në Brazil dhe rivlerësimit të rrezikut nga AUV- i. Megjithatë nga Agjencia nuk kanë sqaruar nëse ka hyrë tashmë në Kosovë mish i pulës së Brazilit pas datës 16 Maj.
Klan News