Kosova dhe Italia do të bashkëpunojnë ngushtë në luftimin e krimit. Kjo dhe një sërë çështjesh të tjera janë dakordësuar gjatë takimit të mes Ministrit të Brendshëm të Kosovës dhe homologut të tij italian.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës,  Skënder Hyseni, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Itali është pritur dje në Romë nga homologu i tij, Angelino Alfano.

Në këtë takim, dy ministrat kanë biseduar dhe trajtuar një varg çështjesh të interesit të ndërsjellë nacional dhe në funksion të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale të sigurisë Kosovë-Itali.

Ata biseduan në hollësi për krimin e organizuar ndërkombëtar dhe masat dhe veprimet që duhet bërë për luftimin efikas të tij. Koordinimi ndërkombëtar dhe këmbimi i informatave është thelbësor në këtë plan, u tha në takimin e dy ministrave.

Korridori ballkanik i migrimit të refugjatëve nga Siria, përkatësisht nga lindja drejt zonës Shengen ishte poashtu temë e bisedës midis Hysenit dhe Alfanos, citon Klan Kosova.

Çështje tjetër e veçantë që u trajtua nga dy ministrat ishte edhe terrorizmi global dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Hyseni kërkoi përkrahjen e mëtejme të Italisë edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe avancimit të bashkëpunimit me Europol-in./tvklan.al