Gërvalla: E rrezikshme. Osmani: Vlerë e shtuar për bashkëpunim

Iniciativën e djeshme të “Ballkanit të Hapur”, i njohur edhe si “Mini Shengeni”, Republika e Kosovës e cilëson si të rrezikshme. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, theksoi se me këtë iniciativë dërgohet mesazh se ekziston alternativë tjetër nga ajo që quhet rrugë e përbashkët e rajonit drejt BE-së.

Ajo sqaroi se Kosova është pjesë e procesit të Berlinit dhe çdo iniciativë tjetër parlalele që në thelb nuk paraqet diçka të re, është e rrezikshme për atë se si Kosova e sheh veten në rajon dhe si shihet ajo nga BE-ja.

Donika Gërvalla, Zv kryeministre dhe ministre e punëve të jashtme dhe diasporës, Kosovë

“Pa i mohuar të drejtën asnjë shteti të pavarur dhe sovran që të marrë vendimet e tij se në cilën iniciativë dëshiron të marrë pjesë, me kënd dëshiron të krijojë koalicione të vogla apo të mëdha, si RK iniciativën e Novi Sadit, në ndërkohë të Mini Shengenit, që nga dita e djeshme të Ballkanit të Hapur, e konsiderojmë të rrezikshme. Pse e konsiderojmë të rrezikshme, sepse përçohet mesazhi sikur kemi alternativë ndaj rrugës tonë të përbashkët si rajon drejt BE-së dhe përçimi i këtij mesazhi ne konsiderojmë se është më i rrezikshëm se sa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit.”

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, iniciativën e djeshme e sheh si një përpjekje për të qenë vlerë e shtuar në kuadër të, siç tha ai, thellimit të bashkëpunimit rajonal.

Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm

“Edhe kjo iniciativë e fundit e shoh si një iniciativë, një përpjekje për të qenë vlerë e shtuar në kuadër të thellimit të bashkëpunimit rajonal pa tentuar që të neutralizojë efektin e iniciativave të tjera rajonale … Unë mendoj se për të liruar potencialin e nevojshëm në rajon çdo iniciativë rajonale duhet të jetë inkluzive, duhet të jetë gjithëpërfshirëse.”

Gërvalla po qëndron në vizitë zyrtare në Shkup, ndërsa pritës i saj është Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, nga kabineti i të cilit njoftojnë se gjatë takimit të tyre por edhe të delegacioneve është biseduar për çështje të ndryshme bilaterale, ku mes të tjerash është theksuar kënaqësia për dialogun e vazhdueshëm politik dhe përkushtimin për ndërtimin dhe thellimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore mes të dyja shteteve. 

Klan Macedonia