Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë ndodhen në Bruksel për të diskutuar me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb.

Ekipin e Serbisë po e udhëheqë kryenegociatori Petar Petkoviç ndërsa nga Kosova po merr pjesë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili. Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi refuzoi të marrë pjesë në takim pasi sipas tij “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”.

Takimet e sotme pasuan rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë. Rregullorja që ka hyrë në fuqi me një shkurt, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.

Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.

Takimi i së martës po ndodh në një vjetorin e arritjes së marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, e cila ende nuk ka filluar të zbatohet.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi shkroi sot në rrjetet sociale se Serbia ende refuzon ta nënshkruajë e rrjedhimisht dhe zbatojë marrëveshjen një vit pas pajtimit. Ai tha se përgjatë kësaj periudhe një vjeçare Kosova është përballur me shkeljet e marrëveshjes nga Serbia dhe përshkallëzimin e situatës në terren.

“Pas dakordimit të Brukselit dhe Ohrit, shantazhuan e kërcënuan serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të prillit, sulmuan një muaj më pas institucionet tona, KFOR-in dhe gazetarët, rrëmbyen brenda territorit tonë tre zyrtarë policorë, sulmuan veriun e shtetit tonë me 24 shtator në aktin e agresionit të Banjskës, afruan trupat ushtarake përreth kufirit tonë dhe si kërcënim i qartë dhe i hapur deklaruan se nuk do ta njohin sovranitetin e integritetin territorial të Republikës së Kosovës, si dhe zyrtarisht me shkrim konfirmuan refuzimin e Marrëveshjes së Brukselit përmes letrës së kryeministres Brnabiç në dhjetor”, shkroi zoti Bislimi duke bërë thirrje që marrëveshja e arritur një vit më parë të zbatohet sa më shpejt.

Me 27 shkurt të vitit të kaluar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan për një marrëveshje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, por pa nënshkrim të saj. Në marrëveshje nuk përfshihet njohja e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës. /VOA