Kosova dhe Serbia po përgatiten për takimin e radhës në Bruksel. Media serbe “Tanjug” duke iu referuar burimeve në Bruksel shkruan se ku vend e ka hequr karantinën për të huaj dhe ka nisur puna për organizimin e takimit për vijimin e dialogut.

Për këtë media ka folur dhe zëdhënësi i BE, Peter Stano, i cili konfirmon se po punohet për caktimin e datës. “Ne jemi duke punuar për mbajtjen e takimeve të treja, datat dhe agjenda e të cilave do të shpallen më vonë“,  thotë zëdhënësi i BE.

Takimi i fundit mes palëve ishte parashikuar që të mbahej në 28 shtator, por u shty për shkak të situatës së koronavirusit. Ishte i dërguari special i BE, Miroslav Lajçak, ai që njoftoi se takimi nuk do të zhvillohej.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet që në takimin e radhës të diskutojnë për çështjet financiare dhe ato të pronës, ndërsa në agjendë nuk ka qenë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe./tvklan.al