Ulja e tarifave të romingut në telekomunikim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë do të fillojë të aplikohet më 15 qershor të këtij viti, njoftoi Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i Kosovës (ARKEP).

“Kosova dhe Shqipëria janë pajtuar që procesi i reduktimit të tarifave të fillojë nga data 15 qershor, 2019, fillimisht nëpërmjet aplikimit të modelit RLAH+, reduktim i cili do të sjellë efekte pozitive të menjëhershme te qytetarët e të dyja vendeve (pasi do të ketë zvogëlim rreth 90 për qind nga kostoja aktuale e përdorimit të telefonisë në roming)”,

thuhet në njoftim.

Sipas të njëjtit, heqja e plotë e tarifave roming për qytetarët e dy vendeve do të bëhet nga 1 Korriku, 2021. Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.

Tarifa e romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një shtet tjetër, nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile. Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.

/REL