Veseli: S’ka kryeministër të ri, shpërndajmë parlamentin

Kosova duket se po shkon përfundimisht drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kryeparlamentari Kadri Veseli i është përgjigjur kërkesës së presidenti të vendit, Hashim Thaçi, i cili përmes një shkrese zyrtare dërguar koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit, ka kërkuar zyrtarisht propozimin e kandidatit të ri për ta mandatuar për formimin e qeverisë së Kosovës.

Veseli ka thënë se nuk ka mandatar të ri dhe se vendi duhet t shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Veseli ka thirrur për të hënën mbledhjen e kryesisë së Kuvendit ku pikë e vetme e rendit të ditës është përgatitja për seancën plenare për shpërbërjen e Kuvendit. 

Ndërsa ambasadori i SHBA-së në Kosovë për disa orë sot ka qëndruar në zyrat e kryeparlamentarit Veseli. Edhe Lëvizja Vetëvendosje është për zgjedhje të reja.

Shemsi Syla- LVV: Ne i kemi të gatshme nënshkrimet për të rrëzuar Kuvendin, siç jemi marrë vesh.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj tha se edhe AAK-ja është e interesuar të shpërbëje Kuvendin dhe se do t’i bashkohet mocionit për një gjë të tillë.

Edhe LDK-ja gjithmonë është deklaruar se është pro zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Tv Klan