Kosova, e dyta në botë për vdekjet nga Covid


Kosova, e dyta në botë për vdekjet nga Covid

12:50 04/09/2021

85 humbje jete për 1 mln banorë në 7 ditët e fundit

Kosova edhe për këtë javë mbetet në listën e vendeve që kanë numrin më të lartë të humbjeve të jetës nga Covid në raport me numrin e popullsisë. Faqet kryesore të statistikave të pandemisë në botë e rendisin e atë në vendin dytë, pas Gjerogjisë, por me një përkeqësim të ndjeshëm të situatës krahasuar me një javë më parë.

Sipas uebsajtit “Statista”, Kosova këtë javë ka një vdekshmëri prej 85.8 persona për çdo 1 milionë banorë, një shifër kjo shumë më e lartë se një javë më parë, kur Kosova edhe pse mbante vendin e parë në botë për vdekshmërinë, kishte vetëm 54.4 vdekje për 1 milionë banorë.

Para saj në këtë renditje për këtë javë gjendet vetëm Gjeorgjia e cila ka një vdekshmëri prej 124 persona për 1 milionë banorë. Pas Kosovës në vendin e tretë tashmë është ngjitur Maqedonia e Veriut, e cila gjithashtu ditët e fundit ka raportuar një numër shumë të lartë vdekjesh.

Sipas statistikave, ajo ka një vdekshmëri prej 81 personash për çdo 1 milionë banorë. Pas tyre në këtë renditje vijnë një sërë shtetesh të tjera si Kazakistani, Sri Lanka apo Tunizia.

Gjithashtu, Kosova mban vendin e parafundit në rajonin e Ballkanit sa i përket imunizimit, çka duket se ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në numrin e fataliteteve dhe infektimeve të reja me Covid.

Sipas të dhënave zyrtare, autoritetet atje kanë administruar rreth 808 mijë doza vaksine, por vetëm 15 për qind e popullsisë është imunizuar plotësisht, duke lënë pas vetëm Bosnje Hercegovinën me 10 për qind të popullsisë së vaksinuar.

Tv Klan






Të ngjashme