Gati 1 në 2 persona të Kosovës është i vaksinuar ndaj Covid-19. Sipas të dhënave të “Our World In Data”, për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kosova renditet në vendin e parë sa i përket vaksinimit të popullsisë, duke lënë mbara edhe Serbinë, e cila përherë ka qenë në krye të listës.

Kosova ka vaksinuar 47% të popullsisë, ndërkohë që Serbia 45% të paktën me një dozë të vaksinës anti-Covid.  Në vendin e tretë renditet Maqedonia e Veriut, e cila  sipas të dhënave më të fundit ka vaksinuar 39% të popullsisë. Ndërsa Shqipëria renditet e katërta në rajon sa i perkët vaksinimit, sepse nga të dhënave e deri tanishme  është vaksinuar 35% e popullsisë së vendit.

Bosnjë Hercegovina ka numrin më të ulët të vaksinimit në Ballkanin perëndimor pasi janë vaksinuar vetëm 23% e popullsisë.

Shtimi i numrit të të vaksinuarve në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut ka ardhur dhe si pasojë e shtrëngimit të masave  ndaj personave të pavaksinuar. Rritja më e madhe e numrit të të vaksinuarve në këto dy shtete erdhi pasi pasaporta e vaksinimit u vu kusht për të hyrë në bare dhe restorante.

Klan News