Kosova, e vendosur të mos lejojë Kupën e Serbisë në Zveçan

Kosova, e vendosur të mos lejojë Kupën e Serbisë në Zveçan

10:00 28/09/2019

Një ndeshje futbolli e vlefshme për Kupën e Serbisë, por e planifikuar të zhvillohet në pjesën veriore të Kosovës, vazhdon të përplasë federatat e Kosovës dhe Serbisë, çka ka nxitur edhe reagimin e FIFA-s.

Federata Ndërkombëtare e Futbollit – FIFA, ka inkurajuar Federatën e Futbollit të Kosovës – FFK, që të lejojë zhvillimin e ndeshjes futbollistike ndërmjet ekipeve Crvena Zvezda [Ylli i Kuq] nga Beogradi dhe Trepça nga Zveçani, e planifikuar të zhvillohet më 5 tetor në veri të Kosovës.

Dërgesën e shkresës së nënshkruar nga zëvendësi i sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafstrom, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.

Ndeshja ndërmjet ekipeve, Crvena Zvezda [Ylli i Kuq] dhe Trepça është e planifikuar të zhvillohet në kuadër të garave për Kupën e Serbisë në futboll, çka sipas Federatës së Futbollit të Kosovës, është e paligjshme, duke pretenduar se vetëm kjo e fundit (FFK-ja) mund të organizojë gara shtetërore brenda territorit të Kosovës.

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se Kosova është e vendosur që të mos lejojë që shteti serb të organizojë ndeshje futbolli në Kosovë. Ai tha se edhe kërkesa e dërguar nga FIFA, është e paqartë.

“Shkresa ka ardhur dhe duhet të lexohet mirë për arsye se në fund të fundit ne kemi dërguar letër shpjeguese në UEFA [Federata Evropiane e Futbollit] dhe mendojmë se UEFA është kompetente dhe jo FIFA”.

“Për çdo rast e kemi njoftuar FIFA-n dhe një person që më duket është papërvojë, se i ka shkruar FFK-së dhe ka thënë se e inkurajojmë [lejimin e ndeshjes]. Do të thotë nuk ka kurrfarë obligimi, sepse FFK-ja është anëtare me të drejta të plota dhe i vetmi organ që organizon gara të territorin e Republikës së Kosovës”, tha Salihu.

Ekipi Trepça nga veriu i Kosovës bën pjesë në kuadër të Ligës së Serbisë në futboll, andaj edhe parashihet që ndeshjet si vendas me ekipet nga Serbia, t’i zhvillojë në territorin e Kosovës. Por, një mundësi të tillë e ka hedhur poshtë Federata e Futbollit e Kosovës.

“Do të thotë është një çështje shumë politike dhe jo sportive, prandaj është absurde ajo letër dhe është keqinterpretuar nga pala serbe, sepse edhe nuk ka kurrfarë fuqie as morale, e lëre më ligjore”, theksoi Salihu.

Çështja e kësaj ndeshjeje futbolli tashmë ka fituar konotacion politik. Institucionet e sigurisë në Kosovë i kanë paralajmëruar autoritetet përgjegjëse në Beograd se në rast se lojtarët e ekipit nga Beogradi do të vijnë në Kosovë, ata do të kthehen mbrapsht në kufi.

Ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se janë në kontakte të vazhdueshme me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe po konsultohen për të gjitha zhvillimet.

“Ne i kemi qëndrimet si edhe më herët. Pa marrë parasysh, do të thotë ne në bashkëpunim me Federatën do të veprojmë. Nëse Federata e sheh jo të arsyeshme [që të zhvillohet ndeshja] ne do t’i sigurojmë se do të veprojmë si shtet”, tha Mustafa.

Kohë më parë, kryetari i Komisionit të garave të Federatës së Futbollit të Serbisë, Miodrag Jankoviq, kishte deklaruar se “do të provohen të gjitha që ndeshja të luhet në terminin e caktuar [në Zveçan]”.

Kurse, drejtori i zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, për të njëjtën çështje pati deklaruar se Prishtina, sipas tij, po ushtron presion dhe po provon t’i frikësojë sportistët serbë të Kosovës që ata të mos marrin pjesë në garat e Serbisë.

Ndërkohë, Arbnor Morina, trajner futbolli i licencuar nga UEFA, tha për Radion Evropa e Lirë, se letra të cilën e ka dërguar FIFA në adresë të FFK-së është shumë e çuditshme për faktin Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe nuk mund të lejojë që federatat e shteteve të tjera të bëjnë organizime në një shtet tjetër.

“Është një jo seriozitet nga një organizatë shumë serioze siç është FIFA”, tha Morina.

Ai theksoi, po ashtu, se ndeshja ndërmjet ekipeve Crvena Zvezda [Ylli i Kuq] nga Beogradi dhe Trepça nga Zveçani, e planifikuar të zhvillohet më 5 tetor në veri të Kosovës, nuk duhet të zhvillohet.

“Krejt ajo çka po ndodh rreth situatës në Kosovë, është situatë politike. Serbia po mundohet edhe sportin, edhe muzikën edhe kulturën, edhe librin, t’i fus nën ombrellën politike, por edhe këtë herë unë mendoj se Kosova nuk guxon të bjerë në këtë provokim dhe mos të merremi shumë me këto provokime politike, të cilat më shumë u shërbejnë politikanëve në Serbi për një fushatë politike brenda shtetit të tyre, se sa që kanë dëshirë të bëjnë diçka për njerëzit serbë që jetojnë në Kosovë”, tha Morina.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, kohë më parë u ka dërguar presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino dhe presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin një letër në lidhje me përfshirjen e, siç thuhet, “të ashtuquajturit klub Trepça nga Mitrovica e Veriut”, në kategorinë e tretë të futbollit të Serbisë, si dhe kërkesën për ndërhyrjen e këtyre dy institucioneve për ndalimin e çdo lloj gare të futbollit të Serbisë në territorin e shtetit të Kosovës.

Më 2016, Kosova u bë anëtare, me të drejta të plota e UEFA-s dhe FIFA-s. Liga e Kosovës në Futboll tashmë njihet si një nga ligat evropiane, çka ka mundësuar që ekipet nga Kosova të garojnë për garat evropiane në kuadër të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës./REL




UKT
Grupi
LAJMET

Të ngjashme


UKT
Grupi