Dardanët tentojnë surprizat në dy ndeshje të mbetura, Gliha nis të mendojë të ardhmen

Matematika lejon Kosovën për të ëndërruar një vend në Euro2024. Fitorja minimale 1-0 ndaj Izraelit jo vetëm theu mallkimin e rezultateve negative në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, por mban ende në lojë Dardanët. Skuadra e Gliha ia doli për të mposhtur kundërshtarin, edhe pse fusha dhe kushtet atmosferike nuk ishin në nivelin e duhur. Pikërisht nga kjo përfitoi Milot Rashica, i cili realizoi golin e vetëm të sfidës për t’i dhënë kështu 3 pikëshin e parë Kosovës në shtëpi gjatë këtyre kualifikueseve. Për trajnerin e dardanëve, Primoz Gliha, Kosova ka futbollistë të shkëlqyer që mund të bëjnë mirë në të ardhmen.

“Për mua nuk ishte një situatë e vështirë. Çdo situatë në futboll, është një situatë normale. Në këtë sport ka dy mundësi, ose të gjesh zgjidhje, ose të qash, Unë nuk qaj kurrë, ndaj mundohem të gjej zgjidhje. Kishim shumë raste për të gjetur golin, por në një fushë si kjo është e vështirë. Megjithatë kur krijon kaq shumë, do të thotë që ekipi është shumë mirë. Çdo ndeshje ka specifikën e vet dhe ne do të nisim punën për të përgatitur skuadrën mbi mënyrën si duhet të përballemi me Zvicrën.”

Fitorja e dytë në grupin I kualifikues e ngjit Kosovën në kuotën e 10 pikëve, distancuar me 6 nga Rumania kryesuese dhe 5 nga Zvicra, rivali i tyre i ardhshëm. Kur kanë mbetur dhe dy sfida deri në fund, Kosovës i duhet të shpresojë tek ndalesat e Zvicrës dhe një fitore e mundshme ndaj tyre, pasi Rumania ka bilanc pozitiv në ndeshjet direkte. Ndërkaq, shpresa kualifikimi mban edhe Izraeli që numëron 1 pikë më shumë se Kosova.

Klan News