Kosova feston ditën e sotme 16-vjetorin e Pavarësisë. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 Shkurt të vitit 2008 nëpërmjet një deklarate të lexuar nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe u miratua në një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku merrnin pjesë 109 deputetë.

Më 22 Korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar dhe si e tillë shpallja e Pavarësisë ishte legjitime.

Deri më tani Kosovën e kanë njohur 117 shtete dhe vendi i fundit që e njohu ishte Izraeli. Tani më Kosova ka arritur edhe liberalizimin e vizave, ku qytetarët gëzojnë lëvizje të lirë në Bashkimin Evropian.

Gjatë ditës së sotme priten të mbahen disa organizime, ndërsa Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë një ceremoni solemne.

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar mbledhjen e qeverisë ku ka theksuar se pavarësisht problemeve, vendi po zhvillohet.

Më pas është zhvilluar ceremonia e ngritjes së flamurit ku merrnin pjesë krerët më të lartë të vendit. Ata janë përulur në shenjë respekti para monumentit të të pagjeturve.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjofca dhanë nga një deklaratë pas kësaj ceremonie.

“Këto 16 vite të shtetit tonë Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe të vendosur, për të treguar para botës jo vetëm që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë e saj, por që është edhe kontribuuese e paqes dhe stabilitetit e të sigurisë edhe përtej kufijve të saj”, tha Presidentja Osmani.

“Para një muaji ne përkujtuam 25 vjetorin e masakrës së Reçakut. Pas 3 javësh përkujtojmë 26-vjetorin e Epopesë ë UÇK-së. Pas 4 muajsh do të shënojmë 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës. Pra rezistenca dhe çlirimi i paraprinë pavarësisë të cilën e gëzojmë sot dhe e forcojmë përmes institucioneve të shtetit, zhvillimit të ekonomisë, progresit demokratik e shoqëror”, tha Kurti.

“Sot është dita më e rëndësishme e shtetit tonë. Sot është edhe ditë jo vetëm e festimit, por edhe e reflektimit, falenderimit dhe mirënjohjeve”, tha Konjufca./tvklan.al