Automjetet serbe duhet të pajisen me targa të përkohshme

Duke nisur nga kjo e hënë të gjitha automjetet serbe do mund të hyjnë në territorin e Kosovës vetëm nëse vendosin një targë të përkohshme të lëshuar nga autoritetet kosovare. Vendimi është nënshkruar nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe vjen si një masë reciproke nga qeveria e Kosovës ndaj të njëjtit rregull që zbaton prej kohësh edhe Serbia ndaj makinave me targa kosovare.

Sipas këtij vendimi pajisja me këto targa bëhet në të gjitha pikat kufitare të Kosovës kundrejt pagesës së një takse prej 5 Euro. Targat e përkohshme duhet të vendosen në vende të dukshme dhe ato kanë një vlefshmëri të përkohshme prej 60 ditësh.

Krahas këtij vendimi ministri i Brendshëm bëri të ditur se nga data 15 Shtator në territorin e Kosovës nuk lejohen më të përdoren as targat “KS” që njihen nga autoritetet serbe dhe se vetja targë ligjore në Kosovë është ajo me shkronjat “RKS” e lëshuar nga institucionet kosovare.

Zbatimi i këtyre dy vendimeve është shoqëruar me shtim të forcave policore dhe ato të KFORI-t në rrugët që të çojnë në pikat kufitare me Serbinë. Ndërkohë që mediat serbe raportojnë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç menjëherë pas shpalljes së vendimit për vendosjen e reciprocitetit ka thirrur ditën e martë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.

Tv Klan