Hiqet ora policore në zonat e kuqe

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të lehtësojë masat antiCovid për qytetarët e saj. Në mbledhjen virtuale të së enjtes, qeveria ka vendosur që të heq orën policore në tërësi edhe në zonat e kuqe.

Ndërsa orari për veprimtarinë e operatorëve ekonomikë në zonë të kuqe është zgjatur deri në orën 22:00. Ndërsa konviktet dhe mensat do të punojnë duke respektuar manualin për mbrojtje dhe përhapjen nga Covid-19. Gjithashtu është marrë vendim që studentët t’i kthehen ligjëratave në fakultete duke ndërprerë kështu mësimin online.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, udhëheqësit e së cilës e kanë quajtur skandaloz dhe të papranueshëm vendimin e qeverisë për lehtësimin e masave antiCovid. Kjo Sindikatë i ka bërë thirrje Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe ekspertëve të shëndetësisë që të distancohen nga veprimet politike “vetëvrasëse”, siç i kanë quajtur ata, duke kërkuar nga ta që të mos jenë pjesë e vendimeve skandaloze për popullin e Kosovës.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 344 raste të reja me Covid-19, derisa janë raportuar dy raste të vdekjes. Numri i përgjithshëm i personave aktiv me Covid i-19 është 7 008.

Tv Klan