Maska e detyrueshme edhe jashtë, ndalohen dasmat 

Duke filluar nga 6 Dhjetori, Kosova do të aplikojë një regjim të ri masash antiCovid. Qeveria në mbledhjen e kësaj të marte miratoi rregullat e reja që synojnë të parandalojnë përhapjen e virusit.

Sipas masave të reja, ora policore do të mbetet në fuqi nga ora 12:00 e natës deri në orën 05:00 të mëngjesit, ndërkohë çdo person që hyn në Kosovë duhet të paraqesë certifikatë vaksinimi me dy doza ose certifikatë vaksinimi me një dozë sëbashku me testin PCR. Ndërkohë që duke nisur nga data 3 Janar për të hyrë në Kosovë do të vlejë vetëm certifikata e vaksinimit me dy doza.

Të gjithë punonjësve të institucioneve publike duhet të posedojnë një nga dëshmitë e kërkuara më lartë për të hyrë në vendin e punës. Mbajtja e maskës bëhet detyruese, edhe në ambientet e jashtme, ndërsa mësimi në universitete do të lejohet me prani fizike por me pjesëmarrje 50 për qind të kapacitetit të ambientit.

Ndalohet plotësisht veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, dasmave, ahengjeve familjare e shoqërore. Baret dhe Restorantet lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 23 të mbrëmjes, por muzika lejohet vetëm deri në orën 21 e 30. Gjithashtu klientët dhe stafi I lokaleve duhet të paraqesë certifikatën e vaksinimit ose testin PCR.

Lejohet zhvillimi i aktiviteteve sportive, por në hapësirat e mbyllura me kapacitet deri në 10 për qind.

Tv Klan