Kërkesa u dorëzua nga Gërvalla, Vuçiç mbledh Këshillin e Sigurisë

Kosova ka aplikuar edhe zyrtarisht për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla  e ka dorëzuar aplikimin pak minuta pasi qeveria e Kosovës në një mbledhje të jashtëzakonshme, Qeveria obligoi MPJ-në që t’i zhvillojë procedurat për anëtarësim.

Gërvalla bëri të ditur se nga tani fillojnë procedurat për shqyrtim të kërkesës ndërsa e ka quajtur një kapitull i ri për Kosovën.

“Sapo dolëm nga takim me zv/Sekretarin e Këshillit të Evropës në emër të Kosovës dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Parlamentare dhe në fund edhe të Këshillit Ministror”, tha ministrja e Jashtme e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se është prishur marrëveshja e Uashingtonit pasi Kosova dorëzoi zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës ndërsa ka ftuar të premten të mbajë mbledhje Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Ish-ministri i Jashtëm Skënder Hyseni ia ka kujtuar Vuçiçit se moratoriumi për mosaplikim në organizata ndërkombëtare ka qenë vetëm 1-vjeçar dhe nuk është shkelur fare marrëveshja e Uashingtonit.

Përfaqësues institucionesh e partish politike kanë përshëndetur aplikimin e Kosovës në këtë organizata.

Shpresat për pranim janë shtuar pasi nga Këshilli i Evropës u përjashtua Rusia. Duke qenë se vendimet merren me shumicë atëherë gjasat për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës janë reale.

Tv Klan