Kryetarja Trendafilova: Synohet falja e të dënuarve për krime lufte

Kryetarja e Gjykatës Speciale të Kosovës iu bëri thirrje diplomatëve europianë të ushtrojnë presion ndaj Kosovës pas përpjekjeve për të zhvendosur dokumentacionin dhe selinë e gjykatës nga Haga në Prishtinë.

Gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Hagë më 11 shkurt, kryetarja e Dhomave të Specializuara për Kosovën, gjyqtarja Ekaterina Trendafilova paralajmëroi diplomatët për përpjekjet që po bëheshin në Prishtinë për të penguar proceset e hapura, përfshirë atë për ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas procesverbalit të mbledhjes, që tani ka rrjedhur në media, Trendafilova tha se në finale synohet falja e të dënuarve për krime lufte.

“Një veprim i tillë do të rrezikonte procesin dhe sigurinë e personave që kanë vendosur të bashkëpunojnë me ne,” citohet Trendafilova.

Kryetarja e Speciales u kërkoi vendeve europiane që të konsideronin arritjen e marrëveshjeve të posaçme për zhvendosjen e dëshmitarëve dhe të familjeve të tyre në vendet e BE-së.

Pa këto marrëveshje do të jetë e pamundur dhënia e dëshmive të sakta dhe pafrikë,” citohet Trendafilova.

Pritet gjithashtu edhe qëndrimi që do të mbajë qeveria e re e Albin Kurtit, i cili që në fillim është shprehur kundër ngritjes së Gjykatës Speciale.

Të paditur në Gjykatën Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit janë ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kreu i Parlamentit Kadri Veseli. Së bashku me ta në bankën e të akuzuarave janë edhe ish drejtues të tjerë të UÇK-së.

Ata akuzohen për krime kundër serbëve dhe pakicave të tjera në Kosovë, si dhe të shqiptarëve të akuzuar si bashkëpunëtorë të forcave serbe. Të gjithë të pandehurit i mohojnë akuzat.

Klan News