BE-ja vëzhgon liberalizimin e lëvizjes së lirë
Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare do të vëzhgojnë me kujdes se si po zbatohet liberalizimi i vizave kryesisht për qëllime turistike për Kosovën që hyri në fuqi më datë 1 Janar. Ashtu si edhe me shtetet e tjera të rajonit, që për një kohë të gjatë gëzojnë lëvizjen e lirë pa viza, Komisioni Evropian do të raportojë edhe për Kosoven rreth zbatimit të kritereve nga shtetasit që udhëtojnë drejt zonës Shengen.
BE-ja do të monitorojë sidomos numrin e keqpërdorimeve të lëvizjes së lirë, me fokus të veçantë në qëndrimin përtej afatit të lejuar, përfshirjen ilegale në tregun e punës dhe angazhimin në veprime kriminale.
Këto raporte monitorimi hartohen në kuadër të Mekanizmit për ndalimin e liberalizimit të vizave nëse kjo rregullore shkelet për qëllime të kërkimit të azilit në mënyrë masive nga shtetasit kosovare. Deri tani Kosova sipas zyrtarëve evropiane ka pasur një performancë shumë të mirë, madje edhe sesa vendet fqinje për numrin e azilkërkueseve.
Po ashtu vlerësohet gatishmëria e Kosovës për t’i pranuar në kohë personat që dëbohen nga shtetet e BE-së.
Udhëtimet pa viza deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh duhet të përdoren vetëm për vizita turistike, probleme familjare dhe jo për qëllime punësimi.
Klan News