Turqia ka reaguar me forcë dhe në rrëmbim, ndaj një organizate të klerikut migrant Fetullah Gylen, jo vetëm brenda territorit të saj, por edhe në rajonin e Ballkanit, pa e përjashtuar Kosovën.

Autoritetet turke kanë ngritur shqetësimet e tyre për sigurinë e institucioneve që kanë hapur në Kosovë, kryesisht në qendrat kulturore.

Në një komunikim zyrtar të Ambasadës turke në Prishtinë me Ministrinë e Jashtme të Kosovës, autoritetet turke “kanë tërhequr vërejtjen për sulme të mundshme”, nga siç thuhet “Organizata terroriste Fetullah Gylen mbi Qendrat Kulturore Turke ‘Yunus Emre’ në Kosovë”, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Në bazë të shkresës që mban datën e 23 Korrikut, Ambasada turke “kërkon nga autoritetet në Kosovë që të ndërmarrin masa shtesë të sigurisë përreth ndërtesave të Qendrave Kulturore ‘Yunus Emre’ me qëllim të mbrojtjes së tyre në Prishtinë, Prizren e Pejë”.

Qendrat kulturore turke ‘Yunus Emre’ u hapën në Kosovë afro 5 vjet më parë dhe u shtrinë fillimisht në Prishtinë e Prizren, dhe më vonë edhe në Pejë, me programe në fushën e kulturës dhe arsimimit, posaçërisht nëpërmjet kurseve të mësimit të gjuhës turke. Mbështetësja kryesore e këtyre qendrave është Konsullata e përgjithshme e Turqisë në Prizren, që thuhet se edhe i financon ato.

Pas grusht-shtetit të dështuar në Turqi, autoritetet në Ankara në përpjekje për të dëshmuar përfshirjen e klerikut mërgimtar Fethullah Gylen në aktivitetet puçiste, nxituan të kërkojnë edhe veprime konkrete të shteteve në Ballkan ndaj organizatave që ai kishte hapur në këtë rajon.

Kërkesa e Ambasadës turke për masa parandaluese në mbrojtje të Qendrave Kulturore nga veprimet, siç thuhet, terroriste nga mekanizmat e sigurisë në Kosovë, është vlerësuar “e pabazuar”.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka asnjë shenjë për “veprime terroriste brenda territorit të Kosovës”, por shtuan se masat e sigurisë në kohë të kërcënimeve globale nga sulmet e mundshme terroriste, janë pjesë e domosdoshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve të vendit.

“Deri tani nuk ka ndonjë indikacion se ekziston ndonjë rrezik potencial në vend, përderisa Policia e Kosovës është gjithnjë vigjilente dhe e përkushtuar për garantimin e sigurisë së përgjithshme dhe lëvizjen e lirë, duke pasur parasysh që edhe në këtë kohë verore edhe fluksi i njerëzve dhe automjeteve është më i madh, posaçërisht kur një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë vjen në vendlindje për pushime”

.

“Në pajtim me nevojën për kapacitete shtesë, PK-ja angazhon edhe zyrtarë të mjaftueshëm për menaxhim të sigurisë dhe garantim të lëvizjes së lirë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Turqia u bë e pranishme në Kosovë që prej përfundimit të luftës me shtrirjen kryesisht në fushën e arsimit. Hapja e shkollave që financohen nga Turqia nisi në vitin 2003 dhe shumica e tyre janë pjesë të organizatës joqeveritare, Gylistan, ndryshe Lëvizjes së Gylenit./tvklan.al