Ministri i Jashtëm gjerman kërkon përfshirjen e BE-së në dialog

Ndërmjetësimi i dialogut Prishtinë-Beograd shkakton përplasje mes diplomacisë amerikane dhe asaj europiane. Ashtu si edhe i dërguari BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak, edhe kryediplomati gjerman Hajko Mas gjatë një interviste për Deutsche Welle ka evidentuar domosdoshmërinë për të përfshirë në këtë dialog edhe Bashkimin Europian.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duan një të ardhme në Bashkimin Europian, ndaj dhe veçanërisht për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë duhet një zgjidhje që përfshin Bashkimin Europian”.

Por përfaqësuesi i presidentit amerikan në dialog Riçard Grenell shprehet në një intervistë për Gazetën Ekspres në Kosovë se në Shtëpinë e Bardhë më 27 Qershor do të diskutohet vetëm për çështje ekonomike dhe jo politike.

Ndërsa për televizionin amerikan Fox News, Grenell ka pranuar diskutimin për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, por sqaroi se kjo ide nuk ishte e Presidentit Trump, por e ish-Këshilltarit John Bolton, tashmë kundërshtar politik i shefit të Shtëpisë së Bardhë.

“Po ndeshem vazhdimisht me thashethemet për shkëmbim territoresh mes dy vendeve. Kjo nuk është politikë e Trump-it. Po të shohim më në brendësi, të dyja palët shprehen se kjo ka qenë ajo çfarë ka thënë John Bolton”.

Ndërkohë që lidhur me këtë debat ka reaguar edhe deputeti gjerman Peter Bajer, nga radhët e partisë së Kancelares Merkel, i cili u bëri thirrje palëve të mos joshen nga ‘marrëveshje të pista’, siç i quajti ai.

Tv Klan