Koordinatori i Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Avni Arifi, tha për Radion Evropa e Lirë se delegacioni kosovar do të bëjë sot prezantimin e të arriturave në procesin e dialogut me Serbinë, para përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ai tha se delegacioni i Kosovës do të njoftojë për të arriturat por edhe për ngecjet që pala serbe është duke i shkaktuar procesit.

“Ne jemi të përgatitur, do të flasim për angazhimet tona, po njëkohësisht do të flasim edhe për bllokadat që kemi. Ne nuk kemi njohuri se a është pala serbe në atë takim, por për hir të informimit të opinionit, ne nuk kemi takim me palën serbe”,

tha Arifi.

Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, që po zhvillohet në raunde të ndara me lehtësimin e Bashkimit Evropian, pritet të vazhdojë, ndonëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht data e takimit të radhës.

Arifi tha se kërkesat janë bërë nga pala e Kosovës, mirëpo kjo e fundit nuk ka pranuar ndonjë ftesë deri tash.

“Dy kërkesa i kemi bërë edhe në prill edhe në maj, për të rifilluar bisedimet dhe në rend të parë duhet të jetë energjia, nuk kemi marrë përgjigje ende. Ne kemi pasur një ofertë për të ardhur dhe dëgjuar prezantimin se deri ku kanë arritur rezultatet në hartimin e statutit, nuk kemi treguar interesim sepse ka prioritete me të mëdha. Për ne nuk ka marrëveshja më pak të rëndësishme dhe më shumë të rëndësishme, të gjitha marrëveshjet janë më rëndësi dhe jemi serioz në këtë aspekt”,

tha Arifi.

Ftesa eventuale nga Brukseli për vazhdimin e dialogut, nënvizon Arifi, duhet të përmbajë temat për ngecjet në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura. Në të kundërtën, thotë ai, ftesa nuk do të ketë kuptim.

Institucionet e Kosovës po këmbëngulin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, të cilat sipas Prishtinës janë bllokuar nga Beogradi.

Para së gjithash, përmenden marrëveshjet për energjinë, ajo për hapjen e urës mbi lumin Ibër, kthimi i dokumenteve kadastrale, njohja e diplomave dhe lejimi i funksionimit të objekteve të marra me qira në veri të Kosovës.

Pala serbe në anën tjetër insiston në formimin sa më të shpejtë të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe./REL