Kosova ka refuzuar të fus mësimin fetar në shkolla, për sistemin fillor edhe atë të mesëm. Ligji aktual për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës nuk lë hapësirë që të futet si pjesë e arsimit edhe edukata fetare si lëndë e veçantë. Futja e kësaj lëndë në institucionet arsimore, dikton nevojën e ndryshimeve paraprake ligjore.

Në nenin tre të Ligjit, ku flitet për parimet e përgjithshme të arsimit parauniversitar, thuhet se “institucionet publike arsimore duhet të përmbahen nga mësimdhënia fetare ose veprimtaritë tjera, të cilat propagandojnë një fe të caktuar”.

Kushtrim Shkodra, këshilltar politik i ministrit të Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami, ka thënë se nuk kanë asnjë koment lidhur me këtë çështje.

Disa ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte ai i cili kishte thënë se shkollat publike duhet të hapin dyert për njohjen e besimeve fetare. Sipas kryeministrit Rama, kjo do t’i mësojë të rinjtë që në shkollë me disa njohuri bazë, për të kultivuar respektin për besimin e tjetrit dhe për të mos rënë pre e rrjeteve të propagandës ekstremiste, në emër të një feje apo kundër një feje tjetër. /

tvklan.al

Burimi: REL