255 viktima në 10 ditë, më shumë se edhe në gjithë Gushtin

Kosova vijon të mbetet edhe këtë javë në mesin e shteteve që kanë vdekshmërinë më të lartë nga Covid në raport me numrin e popullsisë. Sipas të dhënave zyrtare, në vetëm 10 ditët e para të Shtatorit kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit 255 persona, një rekord negativ ky krahasuar me të njëjtën perioudhë të çdo muaji që prej kohës kur u shfaq pandemia në këtë vend.

Madje 10 ditëshi i parë i Shtatorit ka patur më shumë fatalitete po ta krahasojmë edhe me gjithë muajin Gusht të 2021, ku u shënuan 234 humbje jete. Situata duket edhe më rëndë, nëse e krahasojmë me Shtatorin e vitit të shkuar, ku gjatë gjithë 30 ditëve u shënuan vetëm 100 viktima nga koronavirusi.

Që prej nisjes së pandemisë në Kosovë e kanë humbur jetën 2758 persona, më i riu prej tyre një foshnje vetëm 3 javëshe, e cila u nda nga jeta javën e shkuar.

Situata nuk duket aspak premtuese edhe në spitale, ku numri i të shtruarve vijon të mbetet shumë i lartë. Autoritetet shëndetësore atje kanë konfirmuar se aktualisht janë 1043 pacientë të shtruar në spitalet Covid, nga këta 862 janë në gjendje të oksigjenoterapi, ndërsa 65 janë në gjendje kritike për jetën.

Tv Klan