Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se janë shpallur “non grata” dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë.

Sipas presidentes ky vendim erdhi si pasojë e aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues në Kosovë,  njofton Klankosova.tv.

“Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”, shkroi presidentja në një postim në Facebook.

Osmani u shpreh se Instuticionet e vendit nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-ve, NATO-s, dhe BE-së. Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse.”/klankosova